Kush janë prostitutat e vërteta?...
Nga: Viola Çullhaj
Çdo ditë bëjmë pazar me jetët tona, në institucione të ndryshme publike dhe private: për një fakultet, për një vend pune, për një autorësi pronësie, për një bursë, për një ngritje në detyrë, për një liçencë false apo për çdo gjë tjetër, që më pas merr termin ILEGALE. Ndoshta, përmes ilegales ne marrim diçka që na takon ose jo. Ndoshta, ne jemi dhe bëhemi viktimat e një TUTORI, që mund të jetë një sistem politik i kompromentuar, i cili na kompromenton të gjithëve çdo ditë në rrethin e krimit dhe korrupsionit. Ndoshta, duhet të pranojmë se jetojmë në një sistem "bordellosh" të fshehta, ku çdo gjë e merituar ose jo, zgjidhet përmes ilegales dhe nën petkun e korrupsionit. Çdo ditë, në ambiente të ndryshme, ne bëjmë pazare të jashtëligjshme, ashtu siç bën pazar një prostitutë me veten, që të paktën, në vendin tonë për sa i përket prostitucionit, është i jashtëligjshëm.
Nuk besoj se kemi ndonjë ndryshim esencial me to. Të dyja palët jemi viktima të realitetit dhe fatit tonë, të jetës që bëjmë. Si "ato", ne shesim dhe jemi të shitur çdo orë. Po nëse do ta merrnim shprehjen e shkrimtarit argjentinas në kuptimin politik? Ndoshta, ne do të ishim "laviret" e zhveshura përpara realitetit politik dhe jashtë çdo konteksti të fjalës dinjitet, dhe pushtetarët ndoshta mund të jenë ata që kanë marrë në kontroll liritë e të drejtat tona.
Është quajtur dhe "PLAGA E SHOQËRISË". Duket si një banderolë që shpreh dhimbje, si një banderolë që në 18 vite është rritur ndjeshëm, kultivuar dhe ka fituar përmasa gjigante. Plagë, po kush e shkaktoi këtë plagë? Dhe, më kryesorja: Si mjekohet kjo plagë? Këtyre dy pyetjeve nuk merr mundimin t'u përgjigjet njeri. Në interesin e kujt është që të mbetet enigmë? Jemi viktima apo produkt i një sistemi? Jemi vendi që kemi pasuruar rrugët e botës me femrat tona, ashtu siç jemi vendi që e kundërshtojmë me ligj ushtrimin e tij legal dhe shtëpitë publike legale.
Pas një tutori shqiptar me grupin e tij të femrave në rrugët e Evropës dhe botës, ekziston një rrjet i gjerë mafioz, një zinxhir me hallkat e tij të shpërndara në pikat doganore dhe kufitare, brenda dhe jashtë vendit. A nuk janë varfëria e papunësia shkaku i kësaj dyndjeje në pikat kufitare, doganore dhe në rrugët e botës? Qindra familje shqiptare ushqehen me gjakun e atyre që ushtrojnë nëpër botë "zanatin më të vjetër të botës", dhjetëra organizata joqeveritare në Shqipëri, gjithashtu "ushqehen", pra mbahen më këmbë duke "u lutur" për viktimat e prostitucionit. Për të ardhur keq, por lë shijen e një "industrie" fitimprurëse, një lloj ironie fati.
Por, përsëri: Kush është shkaktari i viktimizimit të tyre? Pse të mos quajmë më parë prostitutë agresorin, e pastaj viktimën? Femrat shqiptare që shesin trupin dhe gjakun e tyre rrugëve të botës për pesë lekë, "janë prostituta të ndyra, janë gangrena e shoqërisë dhe e vendit, kur janë thjesht një ingranazh i vetëm në sipërfaqe të një mekanizmi gjigand, janë mbartëse të fenomenit PROSTITUCION që na turpërojnë, që na prishin imazhin dhe që duhen përzënë me policë nga rrugët dhe trotuaret".
Po ata, që vrasin e vjedhin përditë miliona euro nëpër tendera e pazare zyrtarësh, përse duhet të kenë emërtimet më të fisme dhe "imazh" të rremë? Këta ZOTËRINJ, mendoj, janë prostitutat e vërteta, pavarësisht se përditë flasin e "merakosen" për imazhin e Shqipërisë...
Gazeta Shqiptare, 28 Maj 2008

