Skenari i Beogradit: Populli në shesh dhe Judët e asprave

Nga: Viola Çullhaj

Ata që e njohin politikën e Ballkanit dhe popujt e tij e dinë mirë se ngjashmëria në drejtimin e mbrapshtë politik të këtyre vendeve nuk është e rastësishme. Kryeministrat e vendeve të Ballkanit, ndoshta me një bekim në heshtje nga lart, flirtojnë prej një kohe të gjatë mes tyre dhe, me një shkelje syri ndaj njëri-tjetrit, bien dakord të ndjekin të njëjtat politika të mbrapshta, që kanë një qëllim të vetëm: të kapërcejnë çdo kufi për jetëgjatësinë e tyre në ruajtjen e pushtetit, deri në marrjen peng të popujve dhe vendeve që ata drejtojnë.

Në vendet ballkanike ka vite që as mund të imagjinohet sistemi demokratik i bazuar në ligj dhe rend, por vlerë ka çdo mjet tjetër që shtrin dhe forcon pushtetin ekzistues për një kontroll total ndaj gjithçkaje dhe gjithkujt, duke e kthyer shtetin në pronë private, në shërbim të një njeriu të vetëm dhe të besuarve rreth tij.

Ekziston dhe një lojë e vjetër ballkanike që ngre krye herë pas here dhe i shërben pikërisht këtij qëllimi. Ajo është loja me ndjenjat nacionaliste të këtyre popujve. Një kurth i vjetër, i ngritur dhe i ruajtur deri në përkryerje, ku këta popuj, duke iu kundërvënë njëri-tjetrit, bien njëri pas tjetrit dhe, bashkë me të drejtat e një kundërshtari si fantazmë historike, humbin edhe të drejtat e tyre.

Në protestat e Beogradit edhe kjo lojë arriti të vihet në zbatim. Politika beogradase arriti të luante me popullin e saj edhe kur ky popull i ishte kthyer kundër qeverisë për një mijë e një arsye të drejta. Ata, për një moment, harruan pse kishin dalë në sheshe me gjithë dinjitetin e tyre dhe rrezikuan të bëhen pis nga urrejtja kundër popujve fqinjë; rrezikuan të duken si njerëz të egër që urrejnë këdo dhe nuk ndryshojnë. Mes tyre u infiltruan grupe që synonin përçarjen dhe denigrimin e protestuesve, duke bërë thirrje antishqiptare, duke i tërhequr pas vetes dhe duke i nxitur të betoheshin se nuk do të hiqnin dorë nga Kosova, madje për një çast t’i bënin të dyshonin se pas gjithë kësaj fshiheshin lojëra agjenturore të kroatëve.

Serbët harruan që kishin dalë në sheshe për gjendjen ekonomike të rënduar, korrupsionin e thellë, emigrimin masiv të rinisë së tyre, për trajtimin e vendit si plaçkë, për qeveritarët e lidhur me krimin dhe në shërbim të tij, për partitë opozitare që, si kudo në Ballkan, shërbejnë si dekor qeveritar, për propagandën e egër proqeveritare të mediave deri në deformimin e vetë historisë dhe për ndikimet e palëve të treta që nuk do ta donin dhe nuk do të lejonin kurrsesi një Serbi apo Ballkan evropian, larg mbetjeve të një të shkuare të errët që i mban peng.

Për të njëjtat probleme janë ngritur popujt e Ballkanit në vite në protestat e tyre, që nga kurthe të tilla janë kapur dhe shuar njëra pas tjetrës, sepse kur njeriun e komandon urrejtja, mendja e tij mjegullohet dhe humbet kthjelltësinë përballë së keqes së vërtetë që i kanoset.

Edhe ne kërkuam mes tufës së protestuesve fantazma agjenturash fqinje, por fatmirësisht këto fantazma, edhe pse i kërkoi disa herë me ngulm qeveria, nuk i ndiqte populli, sepse problemet me të cilat po përballen shqiptarët, edhe pse të ngjashme, ishin shumë herë më të rënda se ato të serbëve.

Modeli serb i protestave ishte sa frymëzues, aq edhe mbytës, sepse na bëri të kuptojmë që kryengritja e një populli nuk mjafton, nëse dora që i drejton edhe nga mjegulla nuk ka vendosmërinë ose synimin për t'i drejtuar ata pa kthim drejt një rezultati final që do të përmbyste dhe do t'i jepte goditjen përfundimtare kësaj të keqeje. Kryengritjet e zgjatura sjellin vetëm kapje, lodhje, dorëzim dhe humbje. Madje, sa më shumë të zvarritet një kryengritje, aq më e kënaqur do të ishte një politikë e mbrapshtë që vetëm fiton kohën e saj për t'u rikrijuar, riforcuar dhe ringritur edhe më e fortë dhe më e egër se më parë.

Protestat e popullit serb e humbën forcën dhe ndikimin e tyre dhe i njëjti fat mund t'i presë edhe protestat që kanë pushtuar Tiranën, kryeqytetin e shqiptarëve, nëse dora që qëndron pas tyre nuk vendos të djegë anijet e strategut spanjoll Hernan Kortez.

Këto protesta duhet të sjellin fitoren ose vdekjen, sepse edhe si metaforë, vdekja mbetet vdekje, duke pasur shumë kuptime, por një thelb. E kundërta, zvarritja, do të na bënte të dyshonim për ndonjë lojë të dyfishtë, ku populli shqiptar, si ai serb e shumë popuj të tjerë ballkanikë, mund të jenë përdorur si mish për top. T'i nxjerrësh në shesh, t'i ngresh të flasin dhe të bëhen të identifikueshëm, por të mos u lejosh fitoren, do të na bënte të besonim se edhe ky popull po tradhtohet për ndonjë lojë kulisash, vështirë të kuptueshme nga të gjithë.

Populli u ngrit në përpëlitjen e tij, sheshet u mbushën në Shqipëri e në shumë vende të botës, ku ata janë detyruar, pa dëshirën e tyre, të ikin si të dëbuar. Tani ajo dorë dhe çdo dorë e politikëbërjes perëndimore që ka pretenduar se e ka dashur këtë popull ballkanik duhet ta tërheqë atë pas vetes, ashtu si tërhiqet një i plagosur në luftë për të mos e lënë të vdesë. Vetëm kështu mund ta besojmë dashurinë e tyre pa pasur dyshime për të kundërtën.

Mund të themi se Evropa i ka borxh, që nga Mesjeta, Shqipërisë, për të mos u kthyer edhe më larg në kohë. Në ka harruar, ajo duhet të kërkojë në arkivat e saj të errëta e të pluhurosura, të cilat qëndrojnë si dëshmi e pakthyeshme e historisë, nën zhurmën dhe shkëlqimin e qyteteve evropiane, për rezistencën deri në vetësakrifikim e madhështi të popullit që mbrojti identitetin e saj. Teksa marshojnë krenarisht çdo mbrëmje nën statujën e heroit të tyre kombëtar, shqiptarët po i kujtojnë Evropës dhe Perëndimit se bijtë e kujt janë dhe ku duan të kthehen mes lëngatash e në prag të vdekjes. Populli i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i quajtur atleti i Krishtit nga vetë Vatikani, nuk duhet lënë kurrsesi të tradhtohet nga asnjë Judë asprash. Jo se nuk ka ndodhur më parë tradhtia, por durimi ka sosur dhe shqiptarët kanë pritur gjatë, shumë më gjatë se ç'duhej të prisnin. Evropa e ka ditur, sepse ata kanë dalë në sheshe për të njëjtat probleme që kishin serbët dhe çdo popull i Ballkanit me qeveritë e tyre, por që deri më tani nuk janë dëgjuar, sikur të ishin një kategori popujsh që fare mirë mund të trajtohen si viktima të padenja të lojërave të mëdha të mendjeve perverse.

Shkruar më 15 Qershor 2026

Popular Posts